Qeveria shqiptare ka publikuar në fletoren zyrtare vendimin e fundit të këshillit të ministrave i cili flet një kontratë lobimi të ekzekutivit shqiptar për vitin 2013 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas këtij vendimi vlera e këtij lobimi do të jetë rreth 80 milion lekë. Kohët e fundit mediat në vend kanë aluduar për një kontratë të fshehtë mes qeverisë shqiptarë dhe kompanisë “Patton Bogs” për të lobuar për interesa partiake në Shtetet e Bashkuara në prag të fushatës elektorale.

Drejtorja e projektit Open Data Albania Aranita Brahja e cila ka ndjekur vazhdimisht lobimet e qeverisë shqiptare ndër vite në Amerikë shprehet për channel one se qeveria duhet të bëjë transparente qëllimet e këtij lobimi dhe tu tregojë taksapaguesve shqiptarë nëse ky lobim do të ketë në focus interesat kombëtare dhe konkretisht ku konsistojnë ato, apo interesa të pastra politike duke synuar kështu një performancë më të mirë të partisë në pushtet në zgjedhjet e 23 qershorit.

Open Data Albania ka monitoruar dhe ka mbledhur informacione të sakta dhe të faktuara nga Uashingtoni edhe mbi lobimet e mëparshme të qeverisë shqiptare në Shtetet e bashkuara të Amerikës, ndërsa këtë herë qeveria ende nuk ka bërë me dije qëllimet e këtij lobimi.